Zv/Drejtori i Hetimit të Krimeve në Korçë, Drejtues Sejfulla Metko, ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Korçës, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari me inicialet J.Z.
Sipas Metkos, policia është njoftuar rreth orës 16:30 për ngjarjen kriminale, ndërsa konflikti mes viktimës dhe personit të dyshuar kishte nisur rreth orës 14:00, në afërsi të një tjetër lagjeje të qytetit.
“Konflikti ka ndodhur rreth orës 14:00 në afërsi të një lagjeje tjetër, më pas precipitoi në afërsi të banesës së viktimës, ku kemi patur përdorimin e armëve të zjarrit”, deklaroi Metko.
Ai bëri me dije se autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe, sipas dëshmitarëve, është parë rreth 15 minuta më pas duke u ngjitur në drejtim të varrezave. Policia vijon ndjekjen për kapjen e tij.
“Viktima është vrarë me armë kallashnikov, ndërsa viktima ka patur në dorë një thikë”, u shpreh zv/Drejtori i Hetimit të Krimeve.
Sipas policisë, konflikti mes dy të rinjve nuk ka nisur sot, por ka qenë i mbartur prej një periudhe më të hershme dhe ditën e sotme ka precipituar në përdorimin e armës së zjarrit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar.


