Fluksi i udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar të qarkut të Korçës vijon të rritet me intensifikimin e sezonit veror. Gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kapshticës janë regjistruar 5 252 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ndërsa 4 658 persona kanë dalë drejt Greqisë.
Sipas autoriteteve kufitare, situata po menaxhohet normalisht nga strukturat shqiptare dhe greke, megjithëse në ditët në vijim pritet një shtim i mëtejshëm i lëvizjeve për shkak të kthimit të emigrantëve për pushime, si edhe të qytetarëve që zgjedhin të kalojnë disa ditë në Greqi.
Edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës është regjistruar një fluks i lartë. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 5 321 shtetas, ndërsa 4 799 të tjerë kanë dalë drejt Maqedonisë së Veriut.
Statistikat e katër ditëve të para të muajit gusht tregojnë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve kufitare. Në Kapshticë janë përpunuar gjithsej 37 781 udhëtarë në hyrje dhe dalje, ndërsa në Qafë Thanë numri i përgjithshëm i personave të përpunuar ka arritur në 42 219.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet në orare sa më të përshtatshme dhe të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm, për të shmangur pritjet gjatë ditëve me fluks të lartë.


