Mungesa e qendrave të specializuara sociale në juglindje ishte një nga çështjet kryesore të ngritura në mbledhjen e parë të organit këshillues të prefektit të qarkut Korçë. Kryetarët e bashkive kërkuan ndërhyrje urgjente nga qeveria për ndërtimin e strukturave që do t’u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve me autizëm dhe sindromën Down, personave me probleme të shëndetit mendor, si edhe të moshuarve.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, theksoi nevojën për ngritjen e një rezidence rajonale për të moshuarit dhe qendrave të posaçme për personat me aftësi të kufizuara. Sipas tij, këto shërbime nuk mund të mbështeten vetëm te vullnetarizmi, por kërkojnë investime dhe struktura të mirëorganizuara nga shteti.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, i cili propozoi krijimin e një qendre rajonale të përbashkët për gjashtë bashkitë e qarkut. Ai sugjeroi ngritjen e një strukture të përbashkët menaxhuese, duke theksuar se teknologjia mund të ndihmojë edhe në ofrimin e shërbimeve për të moshuarit, përmes sistemeve të alarmit dhe asistencës.
Prefektja e Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj, bëri të ditur se propozimet e paraqitura nga kryetarët e bashkive do t’i përcillen qeverisë shqiptare. Sipas saj, është kërkuar si ngritja e një shoqërie të përbashkët mes gjashtë bashkive për administrimin e shërbimeve sociale, ashtu edhe investime për rikualifikimin e godinave ekzistuese dhe ndërtimin e institucioneve të reja për kategoritë në nevojë.
Drejtuesit vendorë theksuan se numri i personave që kanë nevojë për shërbime sociale është në rritje nga viti në vit, ndërsa mungesa e qendrave të specializuara po e bën gjithnjë e më të vështirë ofrimin e kujdesit të nevojshëm. Për këtë arsye, ata kërkojnë investime konkrete për ngritjen e strukturave rajonale që do të garantojnë mbështetje dhe kujdes afatgjatë për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me nevoja të veçanta dhe të moshuarit.


