Pogradeci mirëpriti kampionatin e parë ndërkufitar të shahut, një aktivitet i organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shahut, që bëri bashkë sportistë të të gjitha grupmoshave nga Pogradeci, Ohri dhe Struga.
Për herë të parë, tre qytetet që ndajnë brigjet e Liqenit të Ohrit u përfshinë në një garë të përbashkët shahu, duke e kthyer sportin në një urë bashkëpunimi dhe miqësie mes komuniteteve përtej kufijve.
Zëvendëskryetarja e Bashkisë Pogradec, Entela Gusho, vlerësoi rëndësinë e këtij organizimi, duke theksuar se synimi është që kampionati të shndërrohet në një traditë të përvitshme. Sipas saj, aktiviteti do të zhvillohet me radhë në secilin prej tre qyteteve, duke forcuar bashkëpunimin ndërkufitar përmes sportit.
Edhe pjesëmarrësit e vlerësuan pozitivisht këtë nismë, duke u shprehur se garimi me sportistë nga vendet fqinje është një përvojë e veçantë. Ata theksuan se shahu ndihmon në zhvillimin e logjikës, strategjisë dhe durimit, ndërsa nxitën më shumë të rinj t’i bashkohen këtij sporti.
Në përfundim të kampionatit, skuadra e Strugës u shpall fituese, duke zënë vendin e parë përpara ekipeve të Pogradecit dhe Ohrit.
Organizatorët bëjnë të ditur se edicioni i ardhshëm do të zhvillohet në Ohër, ndërsa më pas në Strugë, me synimin për ta kthyer këtë kampionat në një traditë të qëndrueshme sportive për tre qytetet e Liqenit të Ohrit.


