Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, mbajti një fjalim kritik në Kuvend, ku e lidhi protestën e qytetarëve jashtë Parlamentit me problemet ekonomike dhe mungesën e mbështetjes për fermerët shqiptarë.
Alolli deklaroi se protesta është pasojë e humbjes së besimit te institucionet, ndërsa theksoi se një nga sektorët më të goditur është bujqësia. Ajo solli në vëmendje situatën në Qarkun e Korçës, duke u ndalur te dëmet e shkaktuara nga ngricat në pemishtet e mollëve në Devoll, ku sipas saj prodhimi është dëmtuar deri në 80%, ndërsa fermerët vijojnë të jenë pa një plan të qartë kompensimi.
Deputetja ngriti shqetësimin edhe për rreth 300 hektarë tokë të përmbytur në Bashkinë e Maliqit, duke akuzuar institucionet për zvarritje të ndërhyrjeve, pavarësisht se problemi është evidentuar prej kohësh. Ajo kujtoi gjithashtu se amendamenti i propozuar prej saj për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga përmbytjet ishte rrëzuar nga shumica parlamentare.
Në fjalën e saj, Alolli theksoi se përmbytjet e përsëritura në Fushën e Korçës tregojnë mungesë planifikimi dhe investimesh në sistemet e kullimit e ujitjes, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike kërkojnë politika konkrete për mbrojtjen e prodhimit bujqësor.
Deputetja e PD-së njoftoi se ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me ministrin e Bujqësisë për të kërkuar përgjegjësi mbi mungesën e mbështetjes për fermerët e Devollit, Maliqit dhe Fushës së Korçës.
Në përfundim të fjalës së saj, Alolli u ndal edhe te fenomeni i shpopullimit, duke deklaruar se largimi i të rinjve lidhet me mungesën e perspektivës dhe mbështetjes për familjet që jetojnë nga bujqësia.
“Sot fermerët nuk kërkojnë favore. Kërkojnë vetëm një shtet që të jetë pranë tyre kur goditen nga fatkeqësitë, që të mbajë premtimet dhe t’u krijojë fëmijëve të tyre arsye për të qëndruar në Shqipëri,” u shpreh deputetja.


