Bashkia Gjirokastër ka reaguar ashpër ndaj përhapjes së disa informacioneve në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë në mënyrë të rreme se Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të institucionit janë infektuar me virusin HIV/AIDS.
Përmes një deklarate zyrtare, Bashkia i cilëson këto pretendime si tërësisht të pavërteta, të fabrikuara dhe pa asnjë bazë faktike, duke theksuar se bëhet fjalë për një përpjekje të qëllimshme për të krijuar panik dhe pasiguri te qytetarët.
Sipas reagimit, përhapja e këtyre lajmeve përbën jo vetëm dezinformim, por edhe një akt të rëndë dhe të rrezikshëm që cenon dinjitetin e punonjësve të administratës, dëmton figurën e institucionit dhe godet reputacionin e Kryetarit të Bashkisë. Institucioni nënvizon se këto përmbajtje nuk lidhen me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të destabilizuar klimën publike.
Bashkia rikujton se përhapja e informacioneve të rreme me qëllim krijimin e panikut përbën vepër penale, e parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, që dënohet me gjobë ose deri në pesë vite burg.
Në këtë kuadër, Bashkia Gjirokastër u bën thirrje Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Republikës së Shqipërisë që të nisin menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve dhe shpërndarësve të këtij informacioni të rremë, si dhe për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore.
Institucioni garanton qytetarët se nuk ekziston asnjë situatë e tillë dhe se çdo informacion i shpërndarë në këtë drejtim është i pavërtetë dhe i ndërtuar për të krijuar alarm të pajustifikuar. Bashkia thekson se vijon normalisht ushtrimin e funksioneve të saj dhe mbetet në shërbim të qytetarëve.
Në përfundim, Bashkia Gjirokastër bën thirrje për përgjegjësi qytetare, duke u kërkuar mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të verifikojnë informacionet dhe të mos bëhen pjesë e përhapjes së lajmeve të rreme që cenojnë qetësinë publike.


