“Për monitorimin e tregut të shitjes së bukës në qytetin e Korçës”.
Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione në media në lidhje me
njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të
cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë
do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti
menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu.
Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë
të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky
njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është
abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e
konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të
cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e
konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të
drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër
tregtimi.
Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për
mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me
gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të
ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.


