Drejtoria Vendore e Policisë Korçë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa raste të shkeljeve penale, për të cilat janë ndërmarrë veprime ligjore.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin S. H., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. L., 29 vjeç, banues në Korçë, i cili, në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Kujdesit Social, ka kanosur për shkak të detyrës punonjësit e këtij institucioni me një mjet të mprehtë (thikë). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal ndaj shtetases A. B., 26 vjeçe, banuese në Korçë, pasi dyshohet se ka shqetësuar në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet telefonit, një 23-vjeçare.
Në vijim të informacionit të dhënë më 19.01.2026, lidhur me një konflikt fizik në lagjen nr. 3, Pogradec, Policia bën me dije se është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec dhe K. F., 26 vjeç, banues në Maliq, si dhe shpallën në kërkim shtetasin K. N., 37 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet se janë konfliktuar me shtetasin L. H., 44 vjeç.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, pasi dyshohet se ka hyrë në oborrin e banesës së shtetasit K. Sh., e ka kanosur dhe e ka goditur me grusht për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.




