Në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, organizata dhe institucione humanitare kanë intensifikuar ndihmën për familjet në nevojë dhe të moshuarit, kategori që po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi ekonomike. Në Pogradec, por jo vetëm, ndihmat janë përqendruar kryesisht te familjet pa të ardhura dhe te mosha e tretë që jeton në vetmi.
Pastori Mentor Rama, përfaqësues i organizatës Krishti për Kombet (CFN Albania), thotë se ky vit ka një domethënie të veçantë për organizatën, e cila prej 25 vitesh është pranë shtresave në nevojë.
Sipas tij, të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të varfërisë, veçanërisht tek të moshuarit, të cilët po përballen me nevoja gjithnjë e më të mëdha.
Mentor Rama, Pastor:
“Për ne është një vit i veçantë sepse si CFN e bëjmë këtë shërbim prej 25 vitesh rresht. Ne përpiqemi të jemi pranë familjeve dhe fëmijëve në nevojë. Vetëm në prefekturën e Pogradecit janë rreth 15 mijë persona përfitues të ndihmave, ndërsa në rang kombëtar shifra shkon në rreth 24 mijë e 900 persona, fëmijë apo familjarë.
Në këtë periudhë festash shpërndajmë dy lloje paketash: paketa për fëmijët me ëmbëlsira dhe materiale shkollore, si dhe paketa familjare me ushqime për festat e dhjetorit.
Më dhemb zemra ta them, por nga evidencat tona varfëria është shtuar vitet e fundit. Nëse dikur nevojat më të mëdha i kishin fëmijët, sot po përballemi me nevoja shumë akute tek mosha e tretë.”
Mes përfituesve të ndihmës në këtë periudhë është edhe Dana Berberi, një grua e divorcuar dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Ajo tregon se jetojnë me ndihmë ekonomike minimale, ndërsa vajza e saj, nxënëse ekselente, ëndërron të bëhet mjeke.
Dana Berberi:
“Jetojmë me ndihmë ekonomike, 58 mijë lekë të vjetra. Janë për ushqim, për drita, për ujë. Edhe ato pak që jep i ati për vajzën i mbledhim për të paguar faturat. Është shumë e vështirë. Dua të punoj, por jam e lidhur pas vajzës. Ajo është shumë e mirë në shkollë, ka vetëm dhjeta.”
Ndërsa takon vajzën e vogël, pastori Mentor Rama i drejton një mesazh inkurajues:
“Jam shumë i lumtur që në këtë prag festash takoj një vajzë që ka ëndrra të mëdha për jetën, ëndrra që nuk janë vetëm për vete, por edhe për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve. Profesioni i mjekut është një profesion që shërben.”
Ndihmat humanitare në prag të Krishtlindjes sjellin jo vetëm ushqime dhe paketa festive, por edhe shpresë dhe gëzim për dhjetëra familje që përballen çdo ditë me varfërinë dhe pasigurinë ekonomike. Ndërkohë, realiteti tregon se në shumë raste boshllëqet sociale që duhet të mbulohen nga shteti, po mbahen ende nga organizatat humanitare dhe ndihma e huaj.


