Qerim Hamzai, i lindur më 30 janar 1953 në Delvinë, është një nga figurat që lidhi përgjithmonë emrin e tij me Mokrën dhe Pogradecin, falë një prej veprave më të mëdha hidroteknike të zonës: rezervuarit të Mujazës.
Pas përfundimit të studimeve, ai emërohet inxhinier në Pogradec. Sfida e tij e parë ishte pikërisht ndërtimi i rezervuarit të Mujazës, ku punoi për pesë vite rresht, deri në përfundimin dhe vënien në punë të kësaj vepre madhore.
Qerimi e kujton këtë periudhë si një punë titanike: hapja e tunelit me mjete primitive, saldimi i sifonëve dhe tubave në terrene të thyer malore, deri në realizimin e furnizimit me ujë të Trebinjës, duke vënë nën ujë mijëra dynymë tokë.
Ai përmend me respekt punëtorët mokrarë, njerëzit e fortë dhe punëtorë të zonës, ndër të cilët spikat figura e Belul Muços nga Çezma e Madhe, një prej punëtorëve më të palodhur që kishte njohur ndonjëherë.
Sot, inxhinieri shprehet me keqardhje që rezervuari i Mujazës nuk funksionon më, duke e cilësuar atë “veprën e dytë më të madhe në vend, pas Gjonomadhit”.
Nga ndërtimet e zonës së Mokrës, në sipërmarrje të suksesshme
Pas përfundimit të punimeve në Mujazë, Qerim Hamzai emërohet përgjegjës sektori për investimet në banesa dhe më pas përgjegjës kantieri në mineralet e rralla. Gjatë kësaj periudhe ai ka realizuar:
asfaltimin e rrugëve Pllocë–Dardhas, Leshnicë, Stropckë dhe Grabovicë,
punime të ndryshme infrastrukturore në zonë.
Në Mokër ai njihet dhe martohet me ekonomisten Liza Cela nga Stropcka, me të cilën ka dy fëmijë.
Me ndryshimin e sistemit, në fillim të viteve ’90, Hamzai mbështet lëvizjen demokratike dhe themelon një nga firmat e para private të ndërtimit në Pogradec, “Hamzaj sh.p.k.”, me të cilën realizoi:
shkollën e re të Dardhasit,
një shkollë në Rrajcë,
një pallat banimi në Pogradec,
dy pallate në Tiranë,
një pallat në Sarandë,
rrugën e Përrenjasit.
Më vonë ai ndërton dhe administron kompleksin turistik “Syri i Kaltër” në Golem të Kavajës, një destinacion shumë i frekuentuar, sidomos nga turistë gjermanë, çekë, polakë dhe italianë. Kompleksi njihet për çmimet e ulëta dhe gatimet bio, cilësi që vetë Qerimi i garanton duke u furnizuar gjithmonë nga zonat me produktet më të mira, veçanërisht nga Pogradeci e Korça.
Kujtime plot mall për Mokrën dhe njerëzit e saj
Qerimi ruan kujtime të pashlyera nga 25 vitet e jetës së tij në Mokër e Pogradec. Ai përmend me mall:
manastirin e Shën Marenës,
gatimet tradicionale,
aktivitetet rinore të kohës, ku nuk mungonte kurrë,
mikpritjen e jashtëzakonshme të mokrarëve.
Ai tregon me humor historitë e Kamnikut, rrugën e vështirë Trebinjë–Mujazë, si dhe njerëzit e zemrës që e vizitojnë ende sot. Shprehet se Sami Shuli dhe Sokrat Turtulli janë bërë si pjesë e familjes në kompleksin e tij në Golem.
“Kam mall për atë vend, jam pak mokrar e pak pogradecar”, – thotë ai me buzëqeshje, duke e treguar nga gjuha dhe nga zemra.
Në mbyllje, i dërgojmë urimet më të mira për shëndet dhe jetë të gjatë Qerim Hamzait, njeriut që la një trashëgimi të vyer në Mokër, në Pogradec dhe kudo ku punoi.
Përgatiti: Fari Muço


