Pavarësisht se programet profesionale dyvjeçare janë pjesë zyrtare e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, studentët që i ndjekin ato vijojnë të mbeten jashtë mundësisë për t’u punësuar në administratën publike. Arsyeja? Mungesa e akteve nënligjore dhe e vullnetit institucional për të garantuar të drejtën e tyre për punësim dhe vazhdim studimesh.
Këto programe zhvillohen nga kolegje profesionale apo edhe universitete publike dhe private, duke zgjatur 2 vite (120 kredite ECTS), por në përfundim të tyre studentët nuk marrin një diplomë “Bachelor”, por vetëm një certifikatë profesionale. Megjithatë, ata konsiderohen të kualifikuar në një nivel të parë të arsimit të lartë.
Por kjo nuk u mjafton për të hyrë në administratën shtetërore.
Problematikat thelbësore që mbajnë peng qindra të rinj:
Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka nxjerrë ende një akt nënligjor që t’u japë të drejtë studentëve me performancë të lartë (mbi mesataren 6.5) të ndjekin një vit të tretë dhe të pajisen me diplomë.
Ligji aktual nuk parashikon një vazhdimësi të drejtpërdrejtë ose të automatizuar nga cikli profesional në programin “Bachelor”.
Ministria e Financave nuk e ka trajtuar ende kategorinë e të diplomuarve profesionalë si pjesë të tregut të punës në sektorin publik, duke mos përcaktuar pozicione ose kode pune për këtë profil arsimor.
Kjo situatë ka krijuar një boshllëk të pajustifikuar midis arsimit dhe punësimit, ku shteti vetë, pavarësisht se promovon programe profesionale, nuk i njeh më pas si burim rekrutimi për nevojat e veta.
Kërkesë publike për zgjidhje institucionale
Kolegjet profesionale, universitetet, si dhe vetë studentët, kërkojnë që ministritë përkatëse – ajo e Arsimit dhe ajo e Financave – të bashkëpunojnë për të rregulluar këtë padrejtësi që kufizon të ardhmen e një kategorie të konsiderueshme të rinjsh. Ata kërkojnë një rishikim të kuadrit ligjor dhe miratimin e akteve nënligjore që do të krijonin një urë të qartë kalimi nga programi profesional drejt një diplome universitare, si dhe integrimin në tregun e punës, përfshirë edhe administratën shtetërore.
Në një kohë kur vetë institucionet flasin për nevojën e forcimit të arsimit profesional dhe orientimin e të rinjve drejt formimit praktik, kjo mospërputhje ligjore bie ndesh me vetë prioritetet e shpallura të qeverisë.




