Është ndarë nga jeta këtë të mërkurë, më 26 nëntor, mjeku i njohur kirurg dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti.
Ziçishti ka qenë një emër i njohur në fushën e mjekësisë, ndërsa në vitet 2013–2017 ka përfaqësuar Partinë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, si deputet i qarkut të Korçës, në zonën e Devollit.
Ai lindi më 15 shkurt 1950 në Tiranë, ndërsa origjinën familjare e kishte nga fshati Ziçisht i Devollit. Kreu studimet për mjekësi në Tiranë dhe u specializua më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për 16 vite shërbeu si shef i Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sistemin shëndetësor shqiptar.
Jeta e tij u shënua edhe nga persekutimi gjatë regjimit komunist, kur për shkak të goditjeve ndaj familjes u internua fillimisht në Koman, më pas në Dukagjin dhe Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e mjekut.
Ylli Ziçishti do të kujtohet për kontributin e tij në mjekësi dhe angazhimin në jetën politike të vendit.


