Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, Policia e Korçës ka zhvilluar takime informuese dhe ndërgjegjësuese me nxënësit e dy shkollave 9-vjeçare në qytet, “Sotir Gura” dhe “Pandeli Cale”.
Në takime morën pjesë shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet, shefi i Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Gjatë bashkëbisedimeve u diskutua mbi sigurinë në shkollë dhe jashtë saj, parandalimin e bullizmit, veçanërisht atij në hapësirën digjitale, si dhe parandalimin e dhunës dhe fenomeneve të tjera negative. Nxënësit dhe mësuesit ndanë shqetësimet e tyre dhe morën këshilla praktike nga përfaqësuesit e Policisë.
Një tjetër temë e trajtuar ishte ndërgjegjësimi për rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe nga mbajtja dhe përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta.
Përmes këtyre aktiviteteve, Policia synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve, të parandalojë sjelljet e rrezikshme dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet arsimore për garantimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit.


