Vetmia dhe mungesa e mbështetjes familjare po bëhen një shqetësim gjithnjë e më i madh për të moshuarit në Pogradec. Rreth 804 persona në moshë të tretë jetojnë vetëm në qytet, ndërsa mungesa e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe e një strukture rezidenciale e bën edhe më të vështirë përballimin e përditshmërisë për ata që nuk kanë pranë familjarët.
Shumë prej të moshuarve përballen me largimin e fëmijëve për shkak të emigracionit apo krijimit të familjeve të reja. Edhe pse disa arrijnë të kujdesen vetë për veten, mungesa e pranisë së fëmijëve dhe pasiguria për të ardhmen mbeten shqetësime të vazhdueshme.
Mitat Pilinçi prej rreth 20 vitesh jeton vetëm me bashkëshorten. Vajza është martuar, ndërsa djali ka emigruar. Ai thotë se arrijnë të përballojnë nevojat e përditshme, por largësia nga fëmijët ndihet çdo ditë.
Përtej vetmisë, shqetësuese mbetet situata e të moshuarve që jetojnë me të ardhura të pakta, kanë probleme shëndetësore dhe nuk kanë mbështetje nga familjarët. Sipas Pilinçit, institucionet duhet të identifikojnë nevojat e tyre dhe të garantojnë të paktën ushqimin dhe shërbimin shëndetësor.
Në Bashkinë Pogradec janë evidentuar rreth 804 të moshuar që jetojnë vetëm, vetëm në qytet, pa përfshirë njësitë administrative. Drejtoresha e Shërbimeve Sociale, Ivana Llakmani, bën të ditur se aktualisht nuk ofrohet shërbim familjar në banesë për të moshuarit që kanë nevojë për ndihmë me gatimin, pazaret apo higjienën personale.
Një nga objektivat e bashkisë është ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuarit, ndërsa ky projekt është identifikuar edhe si prioritet në Planin Social të Këshillit të Qarkut Korçë, me synimin për krijimin e një qendre rajonale.
Aktualisht, në Pogradec funksionon një qendër ditore, ku të moshuarit mund të kalojnë kohën dhe të përfitojnë falas pije të ngrohta. Megjithatë, mungesa e burimeve njerëzore dhe e shërbimeve të kujdesit në banesë mbetet një sfidë për institucionet vendore.
Me qindra të moshuar që përballen çdo ditë me vetminë, nevoja për shërbime sociale të dedikuara dhe mbështetje konkrete mbetet një çështje që kërkon zgjidhje.


