Një lëvizje e re qytetare është shfaqur në Korçë në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore. “RRUGA – Aleanca e Madhe për Korçën” prezantohet si një forcë qytetare që synon të sjellë një alternativë të re në drejtimin e Bashkisë së Korçës.
Në mesin e emrave të njohur që lidhen me këtë nismë janë Ardit Konomi, Leonard Olli dhe Klajdi Pllaha.
Burime bëjnë me dije se Ardit Konomi pritet të jetë kandidati i pavarur i kësaj lëvizjeje në zgjedhjet e ardhshme të muajit maj, megjithëse kandidatura e tij nuk është bërë ende zyrtare.
Në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, “RRUGA” e përshkruan veten si një “forcë qytetare” që synon të jetë alternativa e së nesërmes për Korçën.
“Ndryshimi nuk vjen duke ndjekur të njëjtat shtigje që na kanë sjellë deri këtu. Ai vjen duke hapur një rrugë të re, një rrugë të udhëhequr nga mendimi i lirë, pjesëmarrja aktive dhe përgjegjësia komunitare”, thuhet në deklaratë.
Lëvizja kritikon modelin tradicional të qeverisjes vendore dhe shprehet se Korça ka nevojë për më shumë sesa një figurë të re në krye të bashkisë.
Sipas “RRUGA”, synimi është një mënyrë tjetër funksionimi e bashkisë, e mbështetur te dija, kompetenca, transparenca, përgjegjësia dhe bashkëpunimi me qytetarët.
“Ne nuk kërkojmë thjesht një mandat për të qeverisur. Ne propozojmë një marrëveshje të gjerë qytetare”, thuhet më tej në deklaratë.
Nisma thotë se është e hapur për qytetarë nga të gjitha grupimet dhe profesionet, duke përmendur mësues, mjekë, inxhinierë, sipërmarrës, fermerë, artistë, studentë, punëtorë, profesionistë të lirë, organizata qytetare dhe pjesëtarë të diasporës.
“RRUGA” paralajmëron se në ditët dhe javët në vijim do të prezantojë vizionin, programin dhe planin konkret për Korçën.
Krijimi i kësaj lëvizjeje pritet të sjellë një zhvillim të ri në skenën politike lokale të Korçës, veçanërisht nëse konfirmohet kandidatura e Ardit Konomit si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“E ardhmja që kërkojmë nuk vjen vetë. Ajo duhet ndërtuar. Fillojmë RRUGËN!”, mbyllet deklarata.


