Përplasja për himnin shqiptar në Pustec u rikthye në qendër të vëmendjes gjatë konferencës së kryeministrit Edi Rama me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Qafë Thanë.
Gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, e pyeti drejtpërdrejt Mickoskin nëse ndiente nevojën t’u kërkonte falje shqiptarëve për atë që u konsiderua si mosrespektim i himnit shqiptar gjatë aktivitetit në Pustec.
Mickoski u përgjigj se himni shqiptar ishte ekzekutuar dhe se gazetari nuk e kishte ndjekur aktivitetin deri në fund.
“Në Pustec jeton komunitet minoritar maqedonas. Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë festën e 22 Nëntorit. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u ekzekutua. Të relaksohemi”, tha Mickoski.
Por Xhensil Shkëmbi kundërshtoi versionin e kryeministrit maqedonas, duke sqaruar se himni shqiptar ishte ekzekutuar vetëm pasi aktiviteti kishte përfunduar dhe nuk kishte më njerëz të pranishëm në ceremoni.
Sipas gazetarit, pikërisht kjo situatë shkaktoi reagimet publike në Shqipëri dhe denoncimin e rastit në media.
Çështja e himnit në Pustec u bë pjesë e debatit publik pas aktivitetit, ndërsa përgjigjja e Mickoskit në Qafë Thanë riktheu diskutimin mbi mënyrën dhe momentin kur u ekzekutua himni shqiptar.


