Dy tentativa për futjen e mallrave kontrabandë në vend janë goditur nga strukturat e Degës Doganore Kapshticë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara brenda pak orëve në dy autobusë udhëtarësh, shërbimet doganore dhe kufitare kanë konstatuar mallra të fshehura dhe të padeklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit të imtësishëm u zbuluan steka cigaresh, duhan i grirë, çanta dore dhe mallra të tjera me natyrë tregtare.
Ndërsa në rastin e dytë, gjatë kontrolleve në vijën e dytë, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme stekash cigaresh kontrabandë, të pajisura me pulla fiskale të huaja dhe të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore.
Materialet procedurale i janë përcjellë institucioneve kompetente për ndjekje të mëtejshme ligjore.


