Një tender me vlerë mbi 207 milionë lekë për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme në Njësinë Administrative Dhivër ngre pikëpyetje mbi konkurrencën dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike nga Bashkia Finiq, e drejtuar nga kryetari Romeo Cakulli
Procedura me referencë REF-00772-09-22-2026 është fituar nga kompania JODY COMPANY SHPK, me ofertën 20,723,790 lekë, kundrejt fondit limit prej 20,831,674 lekësh.
Ajo që bie në sy është diferenca minimale mes fondit limit dhe ofertës fituese. Nga një investim prej më shumë se 20 milionë lekësh, kursimi për buxhetin publik është vetëm 107,884 lekë, ose rreth 0.52%.
Në këtë procedurë morën pjesë dy operatorë ekonomikë, por vetëm njëri u kualifikua. Kështu, gara përfundoi praktikisht me një ofertë të vlefshme.
JODY COMPANY dhe historiku i tenderëve me flamuj të kuq
Pikëpyetjet shtohen kur shqyrtohet historiku i kompanisë fituese.
Sipas Open Procurement Albania, JODY COMPANY SHPK ka fituar 144 kontrata publike, me vlerë totale ofertash fituese rreth 934.5 milionë lekë, në 29 autoritete kontraktore.
Nga këto:
– 48 kontrata kanë të paktën një flamur të kuq.
– 38 procedura janë fituar si ofertues i vetëm.
– 10 procedura kanë sinjalizime për skualifikimin e ofertave konkurruese ose ofertave me çmim më të ulët.
Në total, 33% e kontratave të regjistruara në profilin e kompanisë rezultojnë me të paktën një sinjalizim.
Këto të dhëna nuk përbëjnë prova për shkelje, por janë tregues që kërkojnë verifikim më të thelluar, veçanërisht nga institucionet që mbikëqyrin prokurimet publike.
Administratori i kompanisë është Simon Çipa, ndërsa aktiviteti i saj përfshin ndërtimin, asfaltimin dhe punimet e infrastrukturës rrugore.
Bashkia Finiq dhe disa tenderë rrugësh në të njëjtën periudhë
Një tjetër element që meriton shqyrtim është mënyra se si Bashkia Finiq ka organizuar investimet në rrugët e njësive administrative.
Në shtator 2026 janë publikuar disa procedura për rikonstruksionin e rrugëve në Dhivër, Mesopotam, Livadhja, Finiq dhe në zonën Aliko, Dermish e Navaric.
Disa prej këtyre procedurave kanë fonde limit pothuajse identike, rreth 20.8 milionë lekë.
Kjo ngjashmëri nuk provon ndonjë parregullsi, por ngre pyetje mbi mënyrën e hartimit të preventivave, ndarjen e investimeve dhe arsyetimin teknik të vlerave të përcaktuara për secilën njësi administrative.
Duhet verifikuar gjithashtu nëse bëhet fjalë për projekte të veçanta me volume të ndryshme punimesh apo për ndërhyrje të ngjashme që janë ndarë në procedura të veçanta.
Marrëdhënia historike me institucionet vendore
Të dhënat e Open Spending Albania tregojnë se JODY-KOMPANY ka përfituar pagesa publike nga 34 institucione, në 599 transaksione, me një vlerë rreth 1.1 miliardë lekë për periudhën shkurt 2012 – shtator 2026.
Në këtë historik figurojnë edhe 53 pagesa nga ish-Komuna Finiq, me vlerë rreth 109.5 milionë lekë.
Kjo e dhënë është historike dhe nuk provon ndonjë marrëveshje apo favorizim në tenderin aktual. Megjithatë, tregon se kompania ka pasur një marrëdhënie të mëparshme kontraktore me institucionet vendore të kësaj zone, çka e bën të rëndësishëm verifikimin e kontratave, realizimit të tyre dhe pagesave përkatëse.
Kryetari duhet të japë përgjigje
Në këtë procedurë autoriteti kontraktor është Bashkia Finiq, e drejtuar nga Romeo Cakulli.
. Për këtë arsye, transparenca mbi mënyrën e zhvillimit të tenderit dhe kontrollin e punimeve është përgjegjësi institucionale e bashkisë.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë:
1. Kush ishte operatori tjetër pjesëmarrës dhe përse u skualifikua?
2. Cilat ishin arsyet konkrete të skualifikimit dhe a ishin ato proporcionale me kriteret e tenderit?
3. Si u përllogarit fondi limit prej 20,831,674 lekësh?
4. A u krye studim tregu për çmimet e punimeve?
5. A janë shqyrtuar sinjalizimet e evidentuara në historikun e kompanisë fituese?
6. A ka fituar JODY COMPANY kontrata të tjera nga Bashkia Finiq dhe sa është vlera e tyre?
7. Cilat segmente rrugore do të rikonstruktohen dhe sa kilometra rrugë përfshin projekti?
8. Kush do të mbikëqyrë zbatimin e punimeve?
9. A do të publikohen preventivi, situacionet dhe pagesat për çdo ndërhyrje?
10. A ka kryer kompania punimet e mëparshme në territorin e Finiqit sipas standardeve dhe afateve të kontraktuara?
Kur bëhet fjalë për investime në infrastrukturën e komuniteteve, qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm se kush i fiton tenderët, por edhe si shpenzohet çdo lek dhe çfarë pune realizohet në terren.
Në rastin e Dhivrit, një kontratë prej mbi 20.7 milionë lekësh, me vetëm një ofertë të kualifikuar dhe kursim prej 0.52%, së bashku me historikun e kompanisë, kërkon transparencë të plotë nga Bashkia Finiq.
Bufiurte.al do të kërkojë dokumentacionin zyrtar dhe përgjigjet e Bashkisë Finiq për këtë procedurë.


