Tezgjahu, dikur pjesë e pandarë e shtëpive korçare, po kthehet gjithnjë e më shumë në një zanat të rrallë. Në Pazarin e Vjetër të Korçës, Leniza Koçibelli vijon të ruajë këtë traditë të hershme, duke përcjellë përmes punimeve të saj një mjeshtëri të trashëguar brez pas brezi.
Qilimat, sixhadetë dhe punimet prej leshi dikur realizoheshin në shtëpitë korçare nga gratë, të cilat e mësonin këtë zanat që në moshë të vogël. Edhe Leniza e ka përvetësuar mjeshtërinë e tezgjahut që në fëmijëri, duke parë nënën e saj teksa punonte.
Sot, punimet tradicionale tërheqin veçanërisht vëmendjen e turistëve të huaj, të cilët interesohen për procesin e realizimit dhe kërkojnë të fotografojnë e filmojnë këtë artizanat.
Megjithatë, sipas Lenizës, përdorimi i tezgjahut është zbehur ndjeshëm ndër vite. Ndryshimi i tendencave të arredimit dhe preferenca për tapetet e produktet moderne kanë bërë që qilimat tradicionalë të mos jenë më pjesë e shtëpive si dikur.
Pavarësisht kësaj, përmes punës së saj në Pazarin e Vjetër, Leniza Koçibelli vijon të ruajë një pjesë të identitetit kulturor të Korçës, duke mbajtur gjallë një traditë që rrezikon të humbasë me kalimin e brezave.


