Çështja e pensioneve të emigrantëve që kanë punuar për dekada në Greqi është rikthyer në vëmendje, pas një ndërhyrjeje publike të gazetarit grek, Christos Avramidis, i cili ka ngritur shqetësimin për kushtin e 40 viteve qëndrimi të ligjshëm dhe të përhershëm në vend për përfitimin e pensionit të plotë kombëtar.
Gazetari ia ka adresuar këtë çështje disa herë zëdhënësit të qeverisë greke, Pavlos Marinakis, duke kërkuar të dijë nëse qeveria ka në plan të ndryshojë legjislacionin aktual, i cili sipas tij penalizon mijëra emigrantë, mes tyre edhe shqiptarë, që kanë kontribuar për vite me radhë në ekonominë greke.
Sipas Avramidis, shumë prej emigrantëve që u vendosën në Greqi gjatë viteve 1990 punuan në sektorë të vështirë, përfshirë ndërtimin, pastrimin dhe shërbime të tjera, duke kontribuar edhe në ndërtimin e objekteve infrastrukturore për Lojërat Olimpike të Athinës në vitin 2004. Megjithatë, një pjesë e tyre nuk arritën të siguronin menjëherë dokumentacionin e qëndrimit të ligjshëm, çka sot u krijon vështirësi për plotësimin e viteve të kërkuara për pensionin e plotë.
Sipas legjislacionit grek, për përfitimin e plotë të pensionit kombëtar kërkohen 40 vite qëndrimi i ligjshëm dhe i përhershëm në Greqi. Për çdo vit që mungon, masa e pensionit reduktohet me 1/40.
Gazetari ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2022 u miratua një rregullim i veçantë për emigrantët me origjinë greke nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, për të cilët periudha e kërkuar e qëndrimit u përcaktua fillimisht në 30 vite, me rritje graduale deri në 40 vite në vitin 2032.
Avramidis kërkon që një trajtim i ngjashëm të shqyrtohet edhe për emigrantët e tjerë, të cilët kanë kontribuar për dekada në Greqi, por për shkak të rrethanave të viteve të para të emigracionit nuk mund të plotësojnë kushtin e qëndrimit të ligjshëm.
Pavarësisht katër pyetjeve të drejtuara zëdhënësit të qeverisë, gazetari pretendon se nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete nëse do të ketë ndryshime ligjore.
Ndërkohë, Nisma e Emigrantëve Shqiptarë dhe Solidarëve ka nisur një fushatë për mbledhjen e firmave, duke kërkuar ndryshimin e kuadrit ligjor, shkëputjen e masës së pensionit nga vitet e qëndrimit dhe njohjen më të drejtë të periudhave të sigurimit të kryera në vendet e origjinës.


