Një 26-vjeçar nga Korça, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Romarjo Tahirin, i cili dyshohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, vrau me thikë shtetasin shqiptar Spartak Dervishi. Sipas hetimeve, autorët fillimisht e kanë dhunuar viktimën dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse, duke i shkaktuar vdekjen.
Për 26-vjeçarin, Gjykata e Korçës ka caktuar në vitin 2021 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit dhe koordinimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe ato greke vijojnë procedurat për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Shqipërisë.


