Korça është kthyer në një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme të botës, me zhvillimin e edicionit të 16-të të Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit “Ditët e Mios”. Piktorë nga Shqipëria dhe vende të tjera janë bërë pjesë e kësaj kolonie artistike, duke sjellë përmes krijimtarisë së tyre frymëzime dhe këndvështrime të ndryshme artistike.
Për piktoren shkodrane Greta Tahiraga, kjo është pjesëmarrja e parë në simpozium. Ajo synon të ndërthurë në punimin e saj dy qytete, Shkodrën dhe Korçën, përmes figurës simbolike të Rozafës, e cila këtë herë do të shohë drejt qytetit të Korçës.
Pjesëmarrësit nga Bullgaria, Rumania dhe Gjeorgjia vlerësojnë mikpritjen dhe bukuritë e qytetit, të cilat janë kthyer në burim frymëzimi për veprat e tyre. Ata shprehen të impresionuar edhe nga trashëgimia artistike e piktorit Vangjush Mio, ngjyrat në veprat e tij dhe arkitektura karakteristike e Korçës.
Simpoziumi “Ditët e Mios” vijon të promovojë artin pamor dhe të forcojë shkëmbimin kulturor mes artistëve vendas dhe të huaj. Në përfundim të kolonisë artistike, punimet e realizuara gjatë qëndrimit në Korçë do të prezantohen në një ekspozitë të përbashkët.


