Pas vitesh me vështirësi në qarkullim për shkak të amortizimit të rrugës, ka nisur rikonstruksioni i aksit që lidh fshatin Rrodokal në Mokër. Investimi pritet të përmirësojë lëvizjen e banorëve, transportin e produkteve bujqësore dhe aksesin në shërbime.
Për banorët, ky investim ka edhe një rëndësi të veçantë familjare. Shumë prej fëmijëve të tyre jetojnë në emigracion dhe gjendja e keqe e rrugës e kishte bërë të vështirë kthimin në fshat. Një prej banorëve tregon se djemtë e tij, që jetojnë në Greqi, detyroheshin t’i linin makinat në Prrenjas dhe të merrnin automjete me qira për të mbërritur në Rrodokal.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, u shpreh se rikonstruksioni i kësaj rruge ishte një kërkesë e kahershme e banorëve. Ai bëri të ditur gjithashtu se ndërhyrjet në infrastrukturë do të vijojnë edhe në fshatra të tjerë të Mokrës, ndërsa paralajmëroi nisjen e investimeve për ujësjellësin në katër fshatra dhe ndërtimin e një kanali vaditës për dy fshatrat e Rrodokalit.
Përtej përmirësimit të infrastrukturës, banorët shpresojnë se rruga e re do të afrojë më shumë familjarët që jetojnë larg, duke u dhënë mundësinë fëmijëve të kthehen më shpesh për të vizituar prindërit dhe të afërmit. Një investim që për ta nuk do të thotë vetëm lehtësi në udhëtim, por edhe më shumë lidhje me vendlindjen.


