Shtëpia ku lindi dhe u formua shkrimtari i madh Dritëro Agolli është kthyer në muze në fshatin Menkulas të Devollit. Përurimi u zhvillua në 95-vjetorin e lindjes së një prej emrave më të rëndësishëm të letrave shqipe, duke përmbushur një dëshirë të kahershme të familjes dhe të banorëve të zonës.
Në ceremoni ishte i pranishëm Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi rëndësinë e veçantë që poeti ka për Devollin dhe gjithë shqiptarët. Ai theksoi se muzeu nuk duhet të prezantojë vetëm shkrimtarin përmes veprave të tij, por edhe njeriun, kujtimet dhe lidhjen me familjen e vendlindjen.
Emocionet nuk munguan as për nipin e shkrimtarit, Emil Agolli, i cili u shpreh i lumtur që dëshira e gjyshit të tij u bë realitet. Ai tregoi se familja ka bashkëpunuar me bashkinë për krijimin e muzeut, duke sjellë objekte dhe shkrime që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e Dritëroit. Sipas tij, ky është vendi ku poeti u formua dhe ku hodhi rrënjët e tij.
Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Devolli”, Guri Seferi, e cilësoi përurimin si realizimin e një ëndrre të devollinjve. Ai u shpreh se shtëpia muze pritet të shërbejë jo vetëm si një pikë e rëndësishme historike e kulturore, por edhe si një atraksion turistik dhe ekonomik për zonën.
Shtëpia muze e Dritëro Agollit pritet të tërheqë vizitorë të interesuar për jetën dhe veprën e shkrimtarit, duke sjellë në vëmendje lidhjen e tij të veçantë me Menkulasin, Devollin dhe traditat e kësaj treve. Përmes këtij muzeu, trashëgimia e një prej figurave më të shquara të letërsisë shqiptare do të vijojë të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj.


