Një hap pozitiv për ruajtjen e trashëgimisë shqiptare në Greqi. Shtëpia e Faik Konicës në qytetin e Konicës po shkon drejt restaurimit, pasi pala greke është shprehur e gatshme për bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Blendi Gonxhja, pas kontakteve dhe takimeve mes dy palëve për të çuar përpara këtë nismë, e cila synon të shpëtojë nga degradimi banesën e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Çështja u rikthye në vëmendjen publike muajt e fundit edhe nga gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, i cili e trajtoi problematikën në disa televizione, duke kërkuar ndërhyrje për ruajtjen e kësaj pasurie historike. Më herët, kërkesa për restaurimin ishte ngritur edhe në bashkëpunim me Beqir Potkën, ndërsa Auron Tare ishte ndër zërat e parë që tërhoqi vëmendjen për gjendjen e shtëpisë.
Në këtë proces vlerësohet angazhimi i ambasadores shqiptare Luela Hajdaraga, përpjekjet e ministrit Blendi Gonxhja dhe kontributi i të gjithë atyre që e mbajtën gjallë këtë çështje.
Përtej restaurimit të ndërtesës, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si do të prezantohet historia e Faik Konicës. Pritet që muzealizimi të jetë dinjitoz dhe të pasqyrojë saktë jetën dhe veprën e tij, duke i dhënë kësaj banese vlerën që meriton në kujtesën kulturore shqiptare.
Gatishmëria e palës greke për bashkëpunim është një sinjal pozitiv, por tashmë pritet që ajo të pasohet nga nisja e punimeve konkrete. Restaurimi i shtëpisë së Konicës do të ishte një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë shqiptare dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.


