Për Florin…
“Gjithnjë kam mbajtur distancë me gjimnazistët, për aq kohë sa kanë qenë në bankat e shkollës. Me ty, jo. Të kam pranuar ‘friend’ që në shkollë, sepse ti kishe një mirësi dhe pafajësi që të lexohej lehtësisht në sy, të shkruhej qartazi në ballë.
Jo rrallë shfrytëzoja rastin, kur ti ktheheshe mbrapa e këmbeje ndonjë fjalë…
– Flor’, kthehu para, mos më detyro të marr masa drastike! Do të të heq nga Facebook-u!
– Më fal, profesor! – ma ktheje me një përskuqje të lehtë në fytyrë.
Ti nuk e dije, por të ngacmoja enkas, sepse prisja buzëqeshjen tënde, atë buzëqeshje që më çlodhte.
Sapo mbarove gjimnazin, nuk e mora vesh në ç’fakultet ishe regjistruar. Ndoshta sepse ti kurrë nuk do të kishe mundësinë të përfundoje një fakultet… sepse Zoti, apo djalli, Flor’, kishte plane të tjera për ty.
– Flor’, kthehu para, se do të të heq nga Facebook-u!
Për herë të parë, ti nuk më dëgjove.
Sepse nuk do të kthehesh më kurrë nga rruga për ku u nise kaq herët.
Na pikëllove, Flor’!
Profesori yt…”


