Kopshti 17 në Korçë ka vijuar aktivitetin normal këtë fillim jave, pas incidentit të së premtes, ku rreth 20 fëmijë të grupit të dytë shfaqën shqetësime shëndetësore. Gjashtë prej tyre u dërguan për trajtim në Pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës.
Edhe pse situata është normalizuar, prindërit kërkojnë që ngjarja të hetohet në mënyrë të plotë dhe të përcaktohet shkaku që solli shqetësimet shëndetësore te fëmijët.
Ata kërkojnë që të verifikohet çdo mundësi, duke nisur nga ushqimi dhe uji deri te kushtet higjieno-sanitare në institucion. Shqetësimi mbetet edhe për ditët në vijim, pasi prindërit shprehen të pasigurt për ushqimin që konsumojnë fëmijët gjatë qëndrimit në kopsht.
Pas ngjarjes, strukturat shëndetësore kanë kryer kontrolle në institucion dhe kanë marrë mostra nga ushqimet dhe uji për analiza. Sipas rezultateve të analizave bakteriologjike të kryera deri tani, nuk është evidentuar prani bakteriale.
Edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra nga ushqimet e përgatitura ditën e premte dhe i ka dërguar për ekzaminim në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV). Rezultatet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të shqetësimeve të shfaqura te fëmijët.
Ndërkohë, kontrollet higjieno-sanitare të kryera nga strukturat e shëndetit publik nuk kanë evidentuar problematika, ndërsa kushtet në kopsht janë vlerësuar brenda standardeve.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj drejtoreshës së kopshtit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Procedim penal është nisur edhe ndaj një mjekeje pediatre, e cila dyshohet se nuk ka njoftuar policinë për rastet e paraqitura në spital.
Tashmë pritet përfundimi i të gjitha ekzaminimeve dhe analizave, për të hedhur dritë mbi shkakun që solli shqetësimet shëndetësore te fëmijët.


