Gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht në Korçë janë paraqitur në Spitalin Rajonal me simptoma të njëjta gastrointestinale. Pas rastit, Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për një mjeke të pavijonit të Pediatrisë dhe drejtoreshën e kopshtit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, procedimi penal ka nisur për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Mjekja 57-vjeçare, me detyrë në Spitalin Rajonal Korçë, dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për paraqitjen e fëmijëve me të njëjtat simptoma.
Ndërsa drejtoresha 60-vjeçare e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet funksionale lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Rastet janë evidentuar gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Deri më tani, në njoftimin e Policisë nuk jepen detaje mbi shkakun e simptomave të fëmijëve.


