Pogradeci dhe destinacionet përreth Liqenit të Ohrit po shënojnë një sezon të fortë turistik, me rritje të numrit të vizitorëve dhe të kohës së qëndrimit.
Nga janari deri në gusht, rreth 500 mijë vizitorë kanë frekuentuar destinacionet dhe atraksionet turistike të Pogradecit. Turistë nga SHBA, Australia, Japonia dhe vende të ndryshme europiane kanë zgjedhur Pogradecin, Linin dhe Tushemishtin, të tërhequr nga natyra, klima, ushqimi dhe mikpritja.
Ndër destinacionet më të vizituara janë Bazilika Paleokristiane e Linit, me rreth 6 mijë vizitorë, kryesisht të huaj, Burimet e Drilonit, Parku Ujor Drilon–Tushemisht dhe Varret Monumentale të Selcës.
Edhe kohëzgjatja e qëndrimeve turistike ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave, turistët e huaj po qëndrojnë nga disa ditë deri në disa javë, ndërsa në raste të veçanta edhe për periudha më të gjata.
Një turist nga Gjermania tregon se prej dy muajsh ndodhet në Shqipëri dhe prej dy javësh në Pogradec, ndërsa një turist anglez, në ditën e tetë të qëndrimit, vlerëson Liqenin e Ohrit, klimën dhe mundësitë për të vizituar atraksionet përreth.
Fluksi i turistëve është reflektuar edhe në strukturat akomoduese. Prenotimet kanë vijuar gjatë gjithë sezonit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e njësive akomoduese vijojnë të jenë të rezervuara edhe gjatë muajit shtator.
Vitin e kaluar, Pogradeci e mbylli 12-mujorin me rreth 450 mijë turistë, ndërsa këtë vit pritet që numri të kalojë 550 mijë vizitorë deri në fund të vitit.


