Turizmi në Korçë vijon të mbështetet kryesisht te vizitorët e huaj. Edhe këtë vit, rreth 85 deri në 90 për qind e turistëve që kanë zgjedhur qytetin dhe fshatrat turistike të Bashkisë Korçë janë të huaj.
Operatorët turistikë evidentojnë një sezon pozitiv, me rritje të numrit të vizitorëve, por edhe me ndryshime në mënyrën se si po zhvillohet turizmi.
Një nga tendencat kryesore është zgjatja e qëndrimit, ndërsa rezervimet tashmë shtrihen në më shumë muaj të vitit.
Eriketa Koçollari, menaxhere, thotë se rezervimet vijojnë edhe gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërsa kërkesa për Korçën po rritet edhe nga tregje të reja turistike.
“Rezervimet vazhdojnë në shtator dhe tetor. Është deri në 100% prenotime, në kapacitetin maksimal. Do vazhdojmë me rezervimet për vitin tjetër. Janë 90% të tyre turistë të huaj. Sa i përket Korçës, kemi pasur turistë nga Suedia dhe Norvegjia, që nuk ka qenë në këto ritme në vitet e kaluara. Sezoni prej muajit prill deri në tetor, 80% janë të huaj, dhe më pas deri në shkurt me shqiptarë.”
Edhe operatorë të tjerë turistikë konfirmojnë rritjen e fluksit dhe të qëndrimeve. Ndryshe nga vitet e kaluara, turistët nuk po e zgjedhin Korçën vetëm gjatë periudhave të pikut, por përgjatë një sezoni më të gjatë.
Klaus Pronjari, menaxher hoteli, shprehet se këtë vit janë shtuar edhe grupet e organizuara të turistëve.
“Turistët kanë qenë në numër më të lartë se vitet e kaluara. Pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Zgjedhin Korçën, grupet kanë qenë të shumta, nga pranvera në nëntor. Kohëzgjatja është më e madhe dhe grupet kanë pasur numër të madh turistësh. Belgjika, Franca dhe Spanja janë pjesa më e madhe e tyre.”
Sipas burimeve pranë Zyrës së Turizmit në Bashkinë Korçë, nga muaji mars deri tani, Korçën dhe fshatrat turistikë të Voskopojës, Dardhës, Boboshticës dhe Vithkuqit i kanë vizituar më shumë se 800 mijë turistë të huaj, kryesisht nga vende të ndryshme të Europës.
Të dhënat dhe dëshmitë e operatorëve tregojnë se Korça po konsolidon pozicionin e saj si një prej destinacioneve të preferuara për turistët e huaj.
Zgjatja e qëndrimit dhe shpërndarja e fluksit përgjatë më shumë muajve të vitit janë dy nga tendencat kryesore që po karakterizojnë turizmin në Korçë këtë sezon.


