Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka reaguar pas një denoncimi të publikuar në rrjetin social JOQ, ku një shtetase pretendonte se motra dhe kushërira e saj ishin dhunuar dhe u ishte drejtuar një fjalor fyes nga punonjës policie gjatë një kontrolli.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 3 shtator 2026, në dalje të qytetit të Korçës, ku ishte ngritur një pikë kontrolli me 11 punonjës, në kuadër të masave për kontrollin e territorit dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale.
Gjatë kontrollit të automjeteve është ndaluar një automjet tip “Mercedes-Benz”, me drejtuese shtetasen A. B. Sipas Policisë, gjatë kontrollit të saj dhe automjetit janë gjetur 14 mijë euro.
Policia bën me dije se shtetasja A. B. ka qenë person nën hetim për veprën penale “Mashtrimi”. Pas shoqërimit në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe komunikimit me prokurorin e çështjes, ndaj saj ka nisur procedimi penal, ndërsa shuma e parave është sekuestruar si provë materiale.
Në reagim, Policia sqaron gjithashtu se punonjësi i policisë i përmendur në denoncim nuk ka qenë i pranishëm në pikën e kontrollit, por ka kryer vetëm veprime procedurale në ambientet e Drejtorisë.
DVP Korçë mohon pretendimet për sjellje joetike, duke theksuar se komunikimi dhe sjellja e punonjësve të policisë të pranishëm në pikën e kontrollit kanë qenë konform etikës.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë deklaron se mbetet e angazhuar për garantimin e komunikimit me qytetarët me etikë, respekt dhe përgjegjshmëri ligjore.


