Rreth 140 operatorë turistikë dhe investitorë të ndryshëm kanë aplikuar në zonat kadastrale të miratuara nga qeveria shqiptare në Bashkinë Maliq, në kuadër të programit “Paketa e Maleve”, një nismë që synon zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë rurale.
Sipas kryetarit të bashkisë, Gëzim Topçiu, zonat e përfshira në këtë program janë të shtrira në njësitë administrative Pojan, Pirg, Gorë dhe Moglicë, ku pritet të realizohen investime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm.
Kryebashkiaku Topçiu theksoi se projektet e propozuara përfshijnë investime të larmishme, duke nisur nga ndërtimi i bujtinave turistike e deri te zhvillimi i agrobizneseve dhe sipërmarrjeve të lidhura me prodhimin bujqësor dhe përpunimin e produkteve vendase.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se janë miratuar rreth 10 zona zhvillimore dhe se procesi do të vijojë me kontaktet e para me aplikantët, plotësimin e dokumentacionit dhe akordimin e veprimeve konkrete. Sipas tij, “Paketa e Maleve” përbën një moment zhvillimor për zonat malore të bashkisë, ndërsa ka edhe emigrantë që kanë shprehur interes për të investuar në tokat e të parëve.
Një nga operatorët turistikë që ka shfaqur interes të shtuar është Alfred Cenkollari, i njohur për investimet e tij ndër vite në njësinë administrative Pirg, veçanërisht në fshatin Leminot. Ai ka përgatitur një projekt të ri në kuadër të programit, të fokusuar në agroturizëm dhe zhvillim agrobujqësor.
Cenkollari shprehet se motivimi kryesor për investim lidhet me vendlindjen dhe potencialin e pashfrytëzuar të zonës. Ai thekson se më herët ka marrë toka me qira për 99 vite, ku ka investuar në vreshta, toka arore dhe gështenja. Sipas tij, lehtësitë fiskale që ofron “Paketa e Maleve” e bëjnë më tërheqës investimin dhe shtojnë optimizmin për zhvillimin e agroturizmit, përfshirë ndërtimin e restorantit dhe disa shtëpizave prej druri.
Zonat kadastrale të Bashkisë Maliq konsiderohen me potencial të lartë zhvillimi, falë burimeve turistike, bujqësore dhe blegtorale, si dhe mundësive për agro-përpunim. Autoritetet vendore vlerësojnë se këto investime pritet të ndikojnë ndjeshëm në rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës dhe promovimin e turizmit rural.
Programi “Paketa e Maleve” synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore, duke i kthyer ato në qendra të rëndësishme të turizmit dhe prodhimit vendas.




