Sotiraq Filo është një nga figurat politike që ka dominuar drejtimin e Bashkisë së Korçës gjatë 13 viteve të fundit. Që nga zgjedhjet e pjesshme të vitit 2013 e deri në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2023, ai ka fituar katër herë garën për kryetar bashkie.
Por përtej fitoreve, shifrat e zgjedhjeve tregojnë edhe ndryshimin e mbështetjes elektorale për të dhe forcën e rivalëve politikë në periudha të ndryshme.
Gjithçka nisi në nëntor të vitit 2013, pas largimit të Niko Peleshit nga drejtimi i bashkisë, kur ai mori detyrën e zv/kryeministrit.
Në atë kohë, Filo kandidoi për Partinë Socialiste përballë Sotiraq Stratobërdhës së Partisë Demokratike. Rezultati ishte 15,973 vota për Filon dhe 5,283 për rivalin demokrat. Filo fitoi me një diferencë prej 10,690 votash.
Dy vite më vonë, në zgjedhjet e vitit 2015, Filo u përball me Gjergji Meron e Partisë Demokratike. Kjo ishte një garë shumë më konkurruese. Kandidati socialist mori 25,343 vota, ndërsa Mero siguroi 17,249 vota.
Diferenca mes tyre ishte 8,094 vota. Mero arriti të merrte rreth 40.5 për qind të votave të vlefshme, duke regjistruar rezultatin më të fortë të opozitës në përballjet e Filos që nga viti 2013.
Në zgjedhjet e vitit 2019, panorama ndryshoi rrënjësisht. Opozita e madhe bojkotoi procesin zgjedhor dhe Filo u përball me Leonard Ollin, kandidatin e Bindjes Demokratike.
Filo mori 20,831 vota, ndërsa Olli 1,759 vota, duke fituar me një diferencë prej më shumë se 19 mijë votash. Megjithatë, ky rezultat nuk mund të konsiderohet një matje reale e raportit të forcave mes PS-së dhe PD-së, për shkak të bojkotit të opozitës.
Testi më i rëndësishëm për Filon erdhi në vitin 2023, kur opozita u rikthye në garë me koalicionin Bashkë Fitojmë dhe kandidaten Ledina Alolli.
Filo siguroi 21,029 vota, ose 60.63 për qind, ndërsa Alolli mori 13,652 vota, ose 39.37 për qind.
Diferenca ishte 7,377 vota. Krahasuar me vitin 2019, opozita arriti të rikuperonte ndjeshëm terren, duke kaluar nga 1,759 vota të kandidatit të Bindjes Demokratike në mbi 13 mijë vota të kandidates së Bashkë Fitojmë.
Çfarë tregojnë shifrat për 13 vitet e fundit?
Rezultati më i lartë i Sotiraq Filos ishte në vitin 2015, me 25,343 vota. Në vitin 2023 ai mori 21,029 vota, pra 4,314 vota më pak se në garën e tij më të suksesshme për nga numri absolut i votave.
Ndërkohë, Gjergji Mero mbetet rivali që ka marrë më shumë vota përballë tij, me 17,249 në vitin 2015.
Edhe një tjetër element bie në sy: në vitin 2023, PS mori 16,993 vota për këshillin bashkiak, ndërsa Filo mori 21,029 vota në garën për kryetar. Një diferencë prej 4,036 votash që tregon se vota për kandidatin nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me votën për partinë.
Nga zgjedhjet e vitit 2013 deri në vitin 2023, Filo ka ruajtur drejtimin e Bashkisë së Korçës në katër procese zgjedhore.
Por shifrat e fundit tregojnë se, ndryshe nga viti 2019, kur gara ishte pa opozitën kryesore, në vitin 2023 konkurrenca u rikthye dhe diferenca mes dy kandidatëve kryesorë u ngushtua ndjeshëm.
Korça ka votuar katër herë për Sotiraq Filon. Pyetja që mbetet për zgjedhjet e ardhshme është nëse PS do të arrijë të ruajë të njëjtin nivel mbështetjeje apo opozita do të mund ta kthejë diferencën në një garë edhe më të fortë? Gjithçka varet nga kandidati që del nga tavolina e Niko Peleshit!


