Pandi dhe Artemisi Bardhi nga Pogradeci janë motër e vëlla dhe së bashku numërojnë më shumë se dy shekuj jetë. Pandi është 103 vjeç, ndërsa e motra, Artemisi, 101 vjeçe.
Të dy kanë bërë një jetë të thjeshtë, mes punës dhe familjes, ndërsa sot janë ndër banorët më të moshuar të Pogradecit dhe vijojnë të gëzojnë shëndet të mirë.
Pandi e ka ushtruar gjithë jetën profesionin e kallajxhiut dhe për më shumë se një shekull ka parë nga afër ndryshimet e Pogradecit. Në kujtesën e tij ruhen edhe ngjarje të rëndësishme të historisë së vendit, mes tyre pushtimi italian i vitit 1939.
Ai kujton ardhjen e ushtarëve italianë në Pogradec, ndërsa tregon se si e përjetoi atë periudhë si fëmijë, kur së bashku me të rinjtë e tjerë shisnin gështenja dhe shihnin ushtarët që këndonin e argëtoheshin në qytet.
Përkrah tij, Artemisi, 101 vjeçe, kujton vitet e vështira dhe jetën e kaluar mes punës. Ajo ka punuar si rrobaqepëse dhe për vite me radhë ka qepur veshje për fëmijë dhe të rritur.
Të dy kanë parë ndryshime të jashtëzakonshme gjatë jetës së tyre. Nga Pogradeci i fëmijërisë tek qyteti i sotëm, ata kanë qenë dëshmitarë të ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike që kanë shoqëruar Shqipërinë për më shumë se një shekull.
Kur flasin për të shkuarën, kujtojnë edhe periudhën e regjimit komunist dhe zhvillimet infrastrukturore të asaj kohe, duke e lidhur atë periudhë me figurën e Enver Hoxhës.
Sot, Pandi dhe Artemisi rrethohen nga fëmijët, nipërit dhe stërnipërit. Dy jetë që së bashku kapërcejnë 200 vite mbartin kujtime për një shekull të tërë, nga luftërat dhe ndryshimet e mëdha, te transformimi i Pogradecit dhe brezave që kanë ardhur pas tyre.
Një histori familjare që është kthyer në një kujtesë të gjallë të një shekulli shqiptar.


