Korça është kthyer në një pikë takimi për kinemanë ndërkombëtare me nisjen e edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, KO:SH Film Fest 2026. Përgjatë gjashtë ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë rreth 100 filma të shkurtër nga 40 vende të botës.
Nën moton “What We Ignore, Remains” (Ajo që shpërfillim, mbetet), festivali sjell histori që trajtojnë tema të ndryshme, nga natyra dhe lufta, te padrejtësitë sociale dhe kujtesa kolektive, duke vënë në qendër çështje dhe realitete që shpesh mbeten në hije.
Organizatorët bëjnë me dije se ky edicion vjen me një numër më të lartë filmash, ndërsa përmes artit synohet të rikthehen në vëmendje ngjarje dhe histori që nuk duhen harruar.
Festivali u hap në Kinema Majestik me filmin “DUA”, me regji të Blerta Bashollit. I vendosur në Prishtinën e fundit të viteve ’90, filmi përcjell një histori mbi guximin, forcën dhe dëshirën për liri.
Filmi u ndoq edhe nga vizitorë të huaj, të cilët vlerësuan rrëfimin, interpretimin e aktorëve dhe mesazhin që përcjell vepra.
Përveç filmave artistikë dhe dokumentarë, programi i KO:SH Film Fest 2026 përfshin edhe animacionin, filmat eksperimentalë, realitetin virtual dhe krijimet me inteligjencë artificiale.
Për gjashtë ditë, Korça do të jetë mikpritëse e një programi të pasur kinematografik, duke krijuar mundësi për shkëmbim kulturor dhe njohje me këndvështrime të ndryshme përmes gjuhës universale të artit.


