Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në një konferencë për mediat ka folur për skemën e bujqësisë dhe ndikimin te të rinjtë.
Salla njoftoi se po diskutohet mbështetje financiare nga 7 deri në 10 mijë euro për të rinjtë që hapin biznes, kryesisht në blegtori.
Ministri sqaroi se synohet rritja e sektorit të blegtorisë dhe mbështetja për të rinjtë do të jetë në formë granti.
“Unë dua të them që kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç, mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10.000 euro. Po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur çdo të ri dhe të re që hap një biznes kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes sonë. Pra, ne duhet të fusim rolin e të rinjve dhe të rejave të jenë pjesë e këtij sistemi të rëndësishëm për ne që të mbështesim këtë sektor, të cilin ne duhet që ta rrisim dhe të rinjtë e të rejat të jenë pjesë e kësaj pakete, që ne do ta vendosim në formë granti”, tha Salla.




