Lagështira dhe faktorë të tjerë atmosferikë kishin shkaktuar dëmtime në shtatoren e Nënë Terezës, e vendosur në Qafë Thanë. Pas disa ditësh pune është finalizuar një ndërhyrje e specializuar për rikthimin e shkëlqimit të veprës monumentale, realizuar nga skulptori Vladimir Llakaj.
Sipas tij, dëmtimet ishin shkaktuar nga lagështira, pluhuri dhe mungesa e mirëmbajtjes mbrojtëse ndër vite. Llakaj thekson se pozicioni dhe struktura e shtatores e bënë procesin e restaurimit më të vështirë, por ndërhyrja u realizua me sukses.
Skulptori shpjegon se përbërja e aliazhit të bronzit ndikon drejtpërdrejt në korrozionin e sipërfaqes, ndërsa mungesa e shtresës mbrojtëse me dyll blete kishte krijuar njolla dhe humbje të uniformitetit.
Një vit më parë, ai ka restauruar edhe shtatoret e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit në Pogradec, të cilat ishin dëmtuar nga pluhuri dhe lagështira pranë liqenit.
Aktualisht ndërhyrjet po vijojnë edhe në disa buste të heronjve të Luftës së Dytë Botërore, me synim ruajtjen afatgjatë të monumenteve simbol të qytetit dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtimet e kohës.


