“Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale.”
Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Rama paralajmëroi se do të propozojë që ndërhyrjet e deputetëve për punësimin e personave përmes telefonatave apo mesazheve të konsiderohen vepër penale.
“Do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy që ta votoni”, u shpreh Rama para deputetëve socialistë.
Kryeministri e lidhi këtë nismë me parimin e barazisë në aksesin ndaj institucioneve, duke argumentuar se deputetët nuk duhet të përdorin funksionin e tyre për t’u hapur dyer punësimi personave të caktuar.
“Çdo mesazh i çuar ‘fute këtë në punë’, ‘shife një cik atë’, do të konsiderohet vepër penale”, deklaroi Rama.
Sipas tij, një deputet që ndërhyn në këtë mënyrë nuk është i denjë të përfaqësojë qytetarët që nuk kanë akses personal tek ai.
“Sepse një deputet që bën këtë nuk është i denjë që të jetë përfaqësues i atyre që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë shokë fëmijërie të tij”, tha Rama.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama pritet të adresojë edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e administratës publike dhe rolin e deputetëve socialistë.


