Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë do të hapet plotësisht për qarkullimin e mjeteve nga dita e hënë, 19 janar, pas 11 ditësh bllokimi të shkaktuar nga një rrëshqitje masive dheu në lotin e tretë të këtij segmenti.
Pas reshjeve intensive të datës 7 janar 2026, sasi të mëdha gurësh dhe dheu mbuluan rrugën, duke e bërë atë të pakalueshme. Pas ditësh të tëra pune intensive, deri në orët e vona të natës, kompania kontraktore ka arritur të largojë materialin e rënë nga sipërfaqja e rrugës.
Aktualisht po kryhen pastrimet e fundit dhe larja e asfaltit nga balta, me qëllim që aksi të jetë plotësisht i aksesueshëm për mjetet nga e hëna.
Punimet në zonat e prekura nga rrëshqitjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, për të siguruar skarpatat dhe për të rehabilituar sipërfaqet e asfaltit të dëmtuara nga goditjet e forta të shkëmbinjve, të cilat kanë shkaktuar edhe gropa në rrugë.
Qarkullimi për mjetet e zonës së Mokrës ka nisur që sot, por me kufizime dhe vetëm në një korsi në zonën e rrëshqitjes. Nga dita e hënë, lëvizja do të normalizohet plotësisht në të dyja korsitë.
Ndërkohë, është pastruar edhe zona e rrëshqitjes së dytë masive, e ndodhur në muajin dhjetor, për të cilën kompania ishte detyruar të ndërtonte një bypass të përkohshëm. Edhe ky segment do të jetë i hapur për qarkullim.
Kjo është rrëshqitja e tretë masive e skarpatave që nga inaugurimi dhe hapja e rrugës. Sipas inxhinierëve, këto shembje shkaktohen nga reshjet e dendura, por edhe nga terreni argjilor delikat i zonës, i cili favorizon rrëshqitje në kushte moti të keq.
Nga verifikimet e deritanishme, nuk janë konstatuar zona të tjera me rrezik, por do të kryhet një kontroll i plotë i lotit të tretë për të garantuar sigurinë e plotë të qarkullimit.




