Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin S. Ç., 36 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi u konstatua në qytetin e Bilishtit duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, ndaj shtetasit E. A., 35 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dyshuar se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprat “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, ndaj shtetasit E. M., 47 vjeç, banues në Korçë. Ky i fundit, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen L. D., 66 vjeçe, këmbësore, e cila mori mjekim në spital dhe u largua në banesë. 47-vjeçari u largua nga vendi i aksidentit, por u kap nga shërbimet e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për 4 shtetas të mitur, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 13 u konstatuan duke qëndruar pa lejen e pronarëve në një banesë të pabanuar. Të miturit janë intervistuar në prani të prindërve, psikologes dhe avokatit.
Nga Komisariati i Policisë Pogradec, nisi procedimi penal për shtetasit D. M., 31 vjeç, A. Ç., 52 vjeç dhe O. M., 40 vjeç, banues në Pogradec, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi E. M., 35 vjeç, po nga Pogradeci. Ky i fundit dyshohet se ka përplasur automjetin që drejtonte me një automjet tjetër dhe, në bashkëpunim me tre shtetasit e proceduar, është konfliktuar fizikisht me dy persona. Po punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit G. M., 46 vjeç, banues në Vishocicë, Devoll dhe M. M., 57 vjeçe, banuese në Katerinë, Greqi, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.




