Policia e Qarkut Korçë ka zhvilluar një sërë veprimesh policore gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar në ekzekutimin e masave të sigurisë, arrestime në flagrancë dhe procedime penale për vepra të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin R. B., 43 vjeç, banues në Pogradec, i cili akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, masë e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Ndërkohë, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin R. B., 49 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin S. G., 22 vjeç, banues në Pogradec, i cili u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, goditën një rast të paligjshmërisë në kufi. Në dalje të Republikës së Shqipërisë, në automjetin e shtetasit grek E. K., 30 vjeç, u gjet dhe u sekuestrua në një valixhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Për këtë rast nisi procedimi penal.
Nga Komisariati i Policisë Devoll u referuan materialet në Prokurori për shtetasin K. Sh., 30 vjeç, banues në Bilisht, i cili dyshohet se, në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për dhënien e dokumentit të identifikimit dhe ka prishur qetësinë publike.
Po ashtu, Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori për shtetasin K. B., 29 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, i dyshuar për veprën penale të mashtrimit, pasi i ka marrë një shumë parash shtetasit P. R.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Në vijim të informacionit të dhënë më 10.01.2026, Policia bën me dije se shtetasja E. R., 49 vjeçe, banuese në Pogradec, e cila ishte larguar nga banesa, është gjetur dhe është kthyer pranë familjes së saj.




