Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Arrestimi u bë në vijim të informacionit paraprak për aksidentin e ndodhur në fshatin Vishocicë, Devoll, ku drejtuesi i një furgoni aksidentoi me pasojë vdekjen shtetasen H. M., 83 vjeçe, banuese në këtë fshat.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” ndaj shtetasit N. B., 44 vjeç, banues në fshatin Rrushkull, Durrës, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasit Xh. A., 48 vjeç, banues në fshatin Lin, pasi në afërsi të këtij fshati ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, nga ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Në një tjetër rast, në Kolonjë, në vijim të njoftimit të datës 27.02.2026 për largimin nga banesa të shtetasit T. C., 40 vjeç, bëhet me dije se ai është gjetur dhe është rikthyer pranë familjarëve të tij.


