Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë në Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. J., 32 vjeç, banues në Korçë. Gjatë një kontrolli në lokalin ku ai ndodhej, në celularin e tij u gjetën faqe për baste sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë në Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” ndaj shtetasit A. P., 19 vjeç, banues në Pogradec. Ai dyshohet se për motive të dobëta ka goditur fizikisht një 61-vjeçare.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë në Maliq referuan materialet në Prokurori për shtetasin F. V., 44 vjeç, banues në fshatin Sterkanj, Pogradec. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka vjedhur dy koshere bletësh në fshatin Dolanec, Maliq, në pronësi të një 58-vjeçareje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


