Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë të ditur se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Ç., 52 vjeç, banues në Korçë. Ai dyshohet se, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar pranë banesës së bashkëshortes së tij dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, ndonëse kjo e fundit ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit L. H., 30 vjeç, banues në Korçë. Gjatë kontrollit në dyqanin e tij, në lagjen nr. 9, u konstatua se tregtonte veshje sportive pa dokumentacionin përkatës.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori për shtetasin G. U., 48 vjeç, banues në Bilisht. Gjatë kontrollit të automjetit që ai drejtonte, në qytetin e Bilishtit, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Informacion paraprak
Gjatë paradites së sotme, në lagjen nr. 11 në Korçë, shtetasi L. Gj., rreth 70 vjeç, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë gjatë punës në pronën e tij, nga një mjet pune. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Korçës.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.


