Drejtoria Vendore e Policisë Korçë vijon kontrollet dhe veprimet për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit A. X., 50 vjeç, banues në fshatin Mollas, Kolonjë, dhe K. H., 22 vjeç, banues në Bilisht, pasi u kapën duke drejtuar automjetet e tyre në gjendje të dehur.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. J., 35 vjeç, I. A., 38 vjeç dhe L. Gj., 34 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Këta shtetas dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në ambientet e një lokali në lagjen nr. 7 të qytetit të Korçës, ku është dëmtuar lehtë pronari i lokalit, shtetasi E. M.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për:
- G. B., 51 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2 të qytetit dyshohet se ka dëmtuar me një mjet prerës një pemë dekorative;
- Q. R., 64 vjeçe, banuese në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi dyshohet se ka ndërhyrë me vetëgjyqësi duke ngushtuar një rrugë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.




