Irena Elmasllari është një nga shumë gratë që kanë arritur të fitojnë betejën me kancerin e gjirit, një sëmundje që çdo vit njeh rritje shqetësuese të rasteve. Ajo tregoi se ishte vetë ajo që vuri re ndryshime në trupin e saj, derisa mori lajmin se vuante nga kanceri i gjirit. Një luftë që zgjati plot pesë vite, të cilat sot i kujton si një betejë që ia vlejti, sepse doli fituese.
“Unë quhem Irena dhe e kam konstatuar vetë se diçka nuk po shkonte me trupin tim dhe u drejtova tek mjeku. Sapo bëra kontrollin e parë më tha se duhet të bëhesha operacion. Kam bërë 3 operacione për 5 vite dhe tani gëzoj shëndet të plotë. Fillimisht jam ndjerë shumë keq kur mora përgjigjen, si çdo grua që e përjeton keq. Sepse thoja a do mundem të jem pranë fëmijëve, por me ndihmën e familjes dhe dhembsurinë e tyre pranova të operohesha, pasi në fillim nuk doja. Kam pasur shumë kurajo, e mendoja që zoti do bënte mrekulli. Financiarisht është e vështirë por me ndihmën e familjes dhe pjesëtarëve ja del, gratë duhen ndihmuar sepse jo të gjitha e kanë mundësinë, unë isha në punë sepse nëse nuk do isha në punë nuk e përballoja dot. Ju lutem grave të jenë të kujdesshme dhe sapo të shikojnë që diçka nuk shkon me trupin e tyre të drejtohen tek mjeku, sepse ka shërim”
Vitet e fundit, shifrat e grave të diagnostikuara me kancer në Pogradec janë rritur. Sipas Elena Katirajt, nga ana tjetër ka një rritje të konsiderueshme të interesit të grave për të kryer mamografinë, një hap kyç në zbulimin e hershëm të sëmundjes.
“Falë ndërgjegjësimit të bërë numri i grave që bëjnë mamografinë është rritur së tepërmi nga viti në vit shtohet numri i grave që duan të kryejnë mamografinë. Ne punojmë me makimë lëvizëse mamografie pasi ende në spitalin e Pogradecit nuk ka aparaturë të tillë. Duke bërë një krahasim me 5 vjeçarin e fundit nuk kishte ende ndërgjegjsim të madh, tani jemi në kushte kur gratë na kërkojnë vetë të bëjnë mamografinë. Çdo vit ne kemi një mesatare mbi 300 gra mbi 40 vite që bëjnë mamografinë. Në 5 vjeçarin e fundit kemi një rritje të madhe të rasteve të referuara dhe kjo është për të ardhur keq dhe tregon një trend që tek gratë ka probleme. Duke parë këto shifra ne bëjmë thirrje me moton “Ja vlen të jetosh” që të koktrollohen tek mjeku”
Për të rritur ndërgjegjësimin, nxënës të shkollave, vajza dhe gra marshuan në rrugët e Pogradecit, duke shpërndarë mesazhe për vetëkontrollin dhe vizitat mjekësore. Sa më herët të diagnostikohet kanceri i gjirit, aq më të mëdha janë shanset për shërim.




