Në fshatin Polenë, pranë Korçë, është ndërtuar një pistë moderne për motocross, e cila çdo fundjavë mbledh dhjetëra të rinj pasionantë të këtij sporti ekstrem.
Me një terren të përshtatur dhe kushte të mira, pista po konsiderohet nga praktikuesit si një nga më të mirat në Shqipëri për motocross. Ajo është kthyer në një pikë takimi për të rinjtë që kërkojnë adrenalinë dhe emocione të forta, duke ofruar një alternativë pozitive për kohën e lirë dhe duke nxitur aktivitetin sportiv në zonë.
Pjesëmarrësit shprehen se interesi për këtë sport është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa pista ofron kushte të përshtatshme për stërvitje dhe zhvillimin e garave.
- Isert Gjatolli: “Kjo pistë ka rreth 6 vite që është ndërtuar dhe deri më sot është ndër më të mirat për motocross. Jemi disa të rinj që e kemi pasion, por kërkon edhe mundësi ekonomike. Ka interes sepse është diçka e re për zonën. Do të donim më shumë mbështetje nga bashkia, qoftë edhe minimale.”
- Mariglen Malaveci: “Motocross është një nga gjërat më të bukura për ne, ka shumë adrenalinë. Kam rreth 10 vite që merrem me këtë sport. Do donim të zhvillohej më shumë, të promovohej dhe të organizoheshin gara që të vijnë vizitorë edhe nga qytete të tjera si Tirana.”
- Dhimitraq Kolevica: “Nga shteti kërkojmë kryesisht promovim. Është një sport që të fal kënaqësi dhe në verë çdo të diel vijnë shumë persona për ta parë.”
- Gjergji Konomi: “Kam rreth 15 vite që merrem me motocross dhe e kam ushtruar edhe jashtë vendit. Nëse ka më shumë mbështetje dhe njohje, besoj se do të afrohen edhe më shumë të rinj.”
Promovimi i sporteve alternative si motocross shihet si një mundësi e mirë jo vetëm për të rinjtë, por edhe për zhvillimin e turizmit sportiv në zonë. Kjo pistë ka potencialin të kthejë Polenën në një destinacion tërheqës për adhuruesit e aventurës dhe sporteve ekstreme në Shqipëri.


