Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Kapshticë kanë proceduar penalisht një shtetas që nuk iu bind urdhrit për të ndaluar automjetin që drejtonte pa leje qarkullimi.
Gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, u konstatua se shtetasi K. Sh., 36 vjeç, banues në Larisa, Greqi, po drejtonte automjetin në dalje të vendit, pa leje qarkullimi.
Punonjësit e Policisë i ndaluan daljen jashtë shtetit dhe nisën veprimet procedurale për bllokimin e automjetit. Megjithatë, 36-vjeçari nuk iu bind urdhrit të tyre dhe vijoi lëvizjen me automjet drejt territorit grek.
Shërbimet e Policisë iu vunë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit K. Sh., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore bllokuan automjetin që ai drejtonte pa leje qarkullimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


