Ky i pari është mitropoliti ortodoks grek, Fotis Kallpidhis. Ky i dyti është prifti ortodoks shqiptar, Papa Kristo Negovani.
Mitropoliti grek, Foti, punonte për greqizimin e jugut të Shqipërisë dhe luftonte gjuhën shqipe. Ai urdhëroi banditët grekë të masakronin priftin atdhetar shqiptar, Papa Kristo Negovanin, më 12 shkurt 1905. Papa Kriston e tërhoqën zvarrë nga kisha dhe e masakruan me thika dhe sëpata, duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip.”
Bashkë me të vranë edhe të vëllanë, Theodosin. Ata ranë dëshmorë të gjuhës shqipe.
Për rrjedhojë, komitët shqiptarë, konkretisht Spiro Kosturi, u hakmorën për Papa Kristo Negovanin më 9 shtator 1906, duke e vrarë mitropolitin grek, Fotin.
Po kështu, më 11 nëntor 1906, grekët vranë Spiro Kosturin në Selanik dhe e shfrytëzuan vrasjen e Fotit për të propaganduar se komitët shqiptarë vrasin dhesploterë (klerikë, priftërinj).
Me këtë rast, më 1 shtator 1908, Çerçiz Topulli kundërpërgjigjet me një letër të botuar në gazetën ‘Drita’ në Sofje:
“Sa për gjakun e Spiro Kosturit, pa fjalë që e kërkojmë dhe do ta marrëm siç duhet nga të vërtetët shkaktarë e jo siç pandehin edhe thonë grekët nga dhespotlerët që ndodhen në Shqipëri. Dhespotlerët e gjithë krerët e çdo feje nderohen prej shqiptarëve dhe kurdoherë do t’i nderojmë dhe do t’i mbrojmë, po vetëm u lutemi të mos nakatosen në çështjet kombiare e të bëjnë propagandë për Greqinë, Turqinë e për të tjerat. Për vrasjen e Fotit është i ditur shkaku, andaj mos pandehin grekët që programi i Komitetit është për të vrarë dhespotlerë, se ashtu më 24 orë këmbë nuk mbetet. Dy-tri herë i patëm në dorë dhespotin e Korçës e atë të Konicës, po as ndër mend nuk na shkoi një punë e tillë.”


