Gjuetia e koranit në Liqenin e Ohrit është ndaluar, pasi kjo periudhë përkon me fazën e shumimit të kësaj specieje të rrallë dhe të mbrojtur.
Sipas Martin Jaçellarit, përfaqësues i Organizatës së Peshkimit në Pogradec, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit rastet e paligjshmërisë në liqen janë minimizuar ndjeshëm. Nëse gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rrjeta dhe varka peshkimi, këtë vit deri më tani është konstatuar vetëm një rast i gjuetisë së paligjshme.
Sipas tij, ky përmirësim ka ardhur si pasojë e ashpërsimit të kuadrit ligjor dhe masave të shtuara të kontrollit ndaj peshkatarëve që shkelin ndalimin gjatë kësaj periudhe.
“Në bashkëpunim me Policinë janë marrë masa për ndalimin total të gjuetisë, pasi korani në muajt dhjetor, janar dhe shkurt kryen riprodhimin. Kemi vetëm dy raste të konstatuara dhe ndaj tyre janë marrë masa. Krahasuar me vitet e kaluara, rastet janë sporadike, ndërsa më parë ishin të shumta. Nëse dikush kapet, i sekuestrohen mjetet dhe ndëshkohet me gjobë ose ndiqet penalisht nga 2 deri në 4 milionë lekë.”
Ndalimi i gjuetisë ka sjellë gjithashtu mungesë të koranit të freskët në treg, përfshirë edhe restorantet.
“Koran të freskët sot nuk mund të gjesh, pasi gjuetia është e ndaluar. Restorantet gjatë muajit nëntor, që ishte një periudhë e mirë, kanë marrë masat dhe janë furnizuar për festat.”
Gjatë kësaj periudhe, rreth 70 peshkatarë janë të autorizuar të peshkojnë vetëm për grumbullimin e vezëve të koranit, ndërsa pas këtij procesi, specia ujore lirohet sërish në ujërat e liqenit.
Gjuetia e koranit mbetet e ndaluar gjatë muajve dhjetor dhe janar.




